Në kuadër të “Ditës së Hapur të Shkencës” dhe shënimit të “Ditës së Planetit Tokë”, sot në shkollën tonë u organizua një ekspozitë e veçantë me punime 3D nga lënda e biologjisë, si dhe eksperimente demonstrative nga kimia dhe fizika.
Përmes këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësinë të shpalosin aftësitë e tyre krijuese dhe t’i zbatojnë njohuritë teorike në praktikë. Ky organizim shërbeu gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe kujdesit ndaj planetit tonë.
Shkolla jonë mbetet e përkushtuar në promovimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies, të cilat nxisin frymën hulumtuese, kreativitetin dhe përgjegjësinë qytetare ndaj natyrës.


















