Vizitë edukative në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Në kuadër të aktiviteteve tona, realizuam një vizitë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u njohëm nga afër me punën e institucionit ligjvënës.
Nxënësit e klasave të nënta të shkollës sonë realizuan një vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Shkup. Kjo vizitë u organizua në kuadër të lëndës së Arsimit Qytetar, nën mentorimin e arsimtarit Bajram Ramadani. Përveç arsimtarit lëndor, nxënësit u shoqëruan edhe nga kujdestarët e klasave, psikologia dhe defektologia e shkollës.

Gjatë qëndrimit në hapësirat e Kuvendit, nxënësit u njoftuan hollësisht me funksionimin e këtij institucioni ligjvënës, strukturën e tij dhe organizimin infrastrukturor. Gjatë gjithë vizitës, nxënësit tanë dëshmuan një kulturë të lartë dhe respektuan me përpiktëri protokollin zyrtar.

Përveç pjesës institucionale, nxënësit vizituan edhe Kalanë e Shkupit dhe Çarshinë e Vjetër, ku shijuan bukuritë historike, ushqimin tradicional dhe atraksionet e tjera që ofron kryeqyteti. Ky ekskursion, i cili ndërthuri karakterin edukativo-arsimor me atë argëtues, la mbresa të shkëlqyera te të gjithë pjesëmarrësit.